|
|
NEZIM FRAKULLA(1760)
Nezim Frakulla (ose Nezim Berati) është nga autorët e parë të rëndësishëm të letërsisë shqiptare me alfabet arab; në mjediset ku jetoi e krijoi, luajti rol në zhvillimin e kësaj rryme.
Nezimi lindi nga fundi i shekullit XVII në fashtin Frakull të Fierit në një familje të vogël feudale. Që i ri mësoi në medresenë e Beratit, pastaj shkoi në Stamboll, për të studiuar më tej, ku ndenji një kohë të gjatë dhe filloi të vjershëronte turqisht, persisht e arabisht. Bëri shumë udhëtime në vendet e Lindjes, por mbeti i pezmatuar. Në një bejte turqisht shkruante: I rashë botës anembanë, por zemra m'u mbush me gjak. Në vitin 1730 u kthye në Berat, i varfër, kështu që u detyrua të shërbente si qehaja te një bej. Gjatë kësaj kohe filloi të vjershëronte në shqip, sipas frymës së poezisë orientale. Berati, që ishte një nga qendrat kulturore më në zë të kohës, kishte edhe shumë bejtexhinj, të tjerë. Rivaliteti me myftiun e qytetit pati pasoja politike për Nezimin, prandaj u detyrua të shkonte në Elbasan. Mbas një internimi në Besarabi, Nezimi kthehet përsëri në Berat. Vdiq në burgun e Stambollit.
Në gjuhën shqipe Nezimi la një divan(1) dhe shumë vjersha të shpërndara. Një pjesë e krijimeve të tij kanë kaluar gojë më gojë e u bënë anonime. Duke ndjerë që qëndronte mbi bejtexhinjtë e tjerë, Nezimi e afirmon veten si mjeshtër që i pari krijoi divanin shqip. Divani i Nezimit duhet të ketë pasur rreth 110 vjersha. Tematika është disi e gjerë. Në krahasim me poezinë e atëhershme dhe me modelet orientale, autori solli elemete të reja, që pasqyrojnë anë të jetës në Shqipëri.
Një pjesë e mirë e vjershave të Nezimit janë gazela(4), ku i këndohet bukurisë dhe dashurisë. Gjithashtu ato trajtojnë një problematikë morale, flasin për miqësinë, diturinë etj. Në vjershat e Nezimit pasqyrohet botëkuptimi oriental, por hasen edhe ide pozitive. Me nota kritike goditen vese, sulmohen me përbuzje miqtë e rremë, ambiciozët e smirëzinjtë.
Në kushtet e shthurjes së së sistemit feudal, poeti hutohet dhe mbetet i tronditur midis së vjetrës që shembej, dhe së resë që po lindte. Në vjershën "Ankimi mbi gjendjen e kohës„ , Nezimi na krijon përshtypjen e një bote të shqetësuar, të një atmosfere të pasigurt, ku është e vështirë të lidhësh miqësi, ku bëhet një ndeshje ë egër për të dalë në krye e ku njeriu nuk ka vendin që i takon sipas virtyteve të zotësisë. Autori thotë: "… sorra sot gaha bilbil nukë dahetë dot„. Edhe sikur keto motive të jenë të marra nga letërsia orientale, ato, sidoqoftë, s'janë pa lidhje me realitetin e kohës.
Jeta boshe dhe parazite e bejlerëve dhe e të pasurve pasqyrohet në vjershën "Teferiçi në Belçë„. Nëpërmjet përshkrimit të një pikniku në fshatin Belçë, poeti tregon për qejfet dhe tekat e feudalëve dhe pasanikëve, për shpenzimet pa kufi, për të mirat e pasuritë që i kanë grumbulluar në kurriz të popullit. Me interes është edhe një vjershë që Nezimi e shkroi kur po niseshin për në Stamboll disa shokë të tij. Në të gjejmë dashurinë për atdheun dhe brengën e dhembjen e një mërgimtari për vendin e lindjes:
O shokë, mos na harroni,
se vemi në dhè të huaj,
një selam të na dërgoni,
bari në tre-katër muaj.
Do t'ju jap një amanet,
kur të shihni fush`e male,
të faleni me shëndet
prej meje më shumë halle. Në mjaft vjersha Nezimi i këndon natyrës, e cila jepet plot jetë e lëvizje. Poeti magjepset nga bukuria e saj. Në mënyrë të veçantë ai i këndon pranverës, duke na dhënë skena të gjalla e plot hijeshi. Dy këngë për "Beharin„ janë nga poezitë e tij më të bukura të tij.
SULEJMAN NAIBI(1772)
Midis poetëve bejtexhinj, që u shqua në shekullin XVIII, është edhe Sulejman Naibi. Ai ishte nga Berati dhe jetoi e vdiq aty duke qenë bashkëkohës me Nezim Frakullën.
Sulejman Naibi ka shkruar një divan në shqip por kopja e plotë e tij nuk është gjetur. Krijimtarinë e tij e njohim vetëm përmes 4-5 vjershave në dorëshkrim. Megjithatë, ato e paraqesin si një nga bejtexhinjtë më të talentuar, me frymëzim e kulturë poetike. Karakteristikë për vjershat e Naibit është lirizmi i këndshëm, që u jep atyre ngrohtësi.
Ai i këndon vashës së bukur, natyrës, dhe ëmbëlsisë së jetës. Përmes një figuracioni të pasur e plot ngjyra të gjalla, Naibi e jep me shumë natyrshmëri bukurinë e femrës, ndjenjën e dashurisë. Vjershat e tij janë shumë afër natyrës së këngëve popullore edhe ndonjëra prej tyre si: "Mahmudeja e stolisurë„ këndohet edhe sot në Elbasan e në Berat. Ja disa vargje të saj;
Këjo sevdaja e insanit(1)
Gjallë njerinë ç'e përvëlon,
Mahmudeja e Sulejmanit
Me gazep sokakut shkon.
Jelek kadife veshurë
Si mosnjeri në këtë dhè,
me buzë duke qeshurë,
ç'të ka hije moj Mahmude!
Veçanërisht e bukur dhe e frymëzuar është vjersha "Si kandil i djegurë„ , me një figuracion të pasur e plot ngjyra.
HASAN ZYKO KAMBERI
Nga përfaqsuesit më të shquar të letërsisë shqipe me alfabet arab është Hasan Zyko Kamberi. Tematika që trajtoi ai në vjershat laike, paraqet interes të veçantë, sepse i bëri jehonë gjendjes shpirtërore dhe pakënaqësisë së masave fshatare mbi të cilat rëndonte pesha e vuajtjeve dhe shfrytëzimi i egër feudal. Për jetën e H.Z.Kamberit dihet pak. Ishte nga fshati Starje i Kolonjës. Siç del nga ndonjë vjershë e tij, ka kaluar një jetë të varfër e të vështirë. Ka të ngjarë të ketë mësuar në ndonjë medrese. Më 1789 mori pjesë si mercenar në luftën turko-austriake mbi Danub. Në këtë fushatë jo vetëm që s'e rregulli dot gjendjen ekonomike, por edhe vuajti shumë, siç do e tregojë në vjershën "Seferi humajun„ (Lufta mbretërore). Vdiq në fillim të shekullit XIX. Nga krijimtaria e Hasan Zyko Kamberit njihen 50-60 vjersha lirike. Shkroi edhe poezi fetare.
Rëndësi të veçantë kanë poezitë e tij me temë laike.
Ndryshe nga bejtexhinj të tjerë, të cilët shpesh poetizuan zakone e mendësi të jetës orientale të qyteteve e të mjediseve feudale, H.Z.Kamberi në këto poezi pasqyroi jetën e fshatit shqiptar të shekullit të XVIII, vuajtjet, pasigurinë dhe pakënaqësinë e fshatarëve. Me nota realiste gjejmë në të edhe një frymë të theksuar kritike e mospajtimi me realitetin, gjejmë dhembjen e poetit për gjendjen e njerëzve, që s'u ecën fati.
Një nga vjershat me tipike është "Bahti im„ , ku autori shpreh pakënaqësinë ndaj jetës dhe ankohet për fatin(bahtin), që s'e ndihmoi për të marrë prona e pozita, siç ndodhi me disa të tjerë.
|
|
|