Boronicë për personat me astmë
Ekstrakti i boronicës mund të ulë proceset e ndezjes në rrugët e frymëmarrjes dhe me këtë të shpëtojë sa më shumë persona të sëmurë nga astma, bën të ditur një hulumtim i ri nga Zelanda e Re.
Hulumtimi është fokusuar në efektin anti-inflamator të përbërësve të boronicës – proantiocianidineve, dhe veçanërisht epigalokatekinës (EGC) si antioksidues kryesor.
EGC ka treguar një efekt të fuqishëm inhibues të lëshimit të përbërësve anti-inflamator, të cilët janë përgjegjës për reaksionet alergjike të indit të mushkërisë.
Postuar: 13:07 / 13 Maj 2010
Acidet Omega-3 forcojnë eshtrat
Konsumimi sa më i madh i acideve yndyrore omega-3, veçanërisht DHA (acidit dokosaheksaenik) mund ta rritë përbërjen minerale të eshtrave dhe t’i bëjë ata më të shëndetshëm dhe më të fuqishëm.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga një studim i ri që është zhvilluar në minj dhe që është botuar në revistën shkencore British Journal of Nutrition.
Acidet omega-3 lidhen me një varg dobish shëndetësore ku përfshihet edhe ulja e rrezikut nga sëmundjet kardio-vaskulare dhe disa lloje të kancerit, rritja e suksesshme e fëmijës gjatë shtatzënisë, ndërsa efekti pozitiv i tyre shfaqet edhe në nyje dhe gjendjen shpirtërore.
Sipas studimit të fundit, kafshët të cilat kanë konsumuar DHA kanë pasur përbërje më të lartë minerale dhe dendësi më të madhe në eshtra. Shkencëtarët mendojnë se DHA është e patjetërsueshme për zhvillimin e eshtrave pasi besohet se është një prej elementëve kyç për të ndërtuar palcën kockore.
Postuar: 11:18 / 12 Maj 2010
Çaj i gjelbër mbron dhëmbët
Shkencëtarët japonezë kanë zbuluar se vetëm një lugë çaji i gjelbër në ditë mund të ulë rrezikun e prishjes së dhëmbëve deri në 20%.
Çaji i gjelbër ka në përbërje antioksiduesit e quajtur katekina, të cilët janë përgjegjës për efektet pozitive në shëndet. Këto antioksidues të fuqishëm, mund të frenojnë zhvillimin e baktereve veprimi i dëmshëm i të cilave shkakton paraqitjen e paradentozës.
Çaji i gjelbër ndikon edhe në uljen e rrezikut të prekjes nga sëmundja Alzheimer, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, si dhe ndihmon në kontrollimin e peshës trupore.
Postuar: 10:49 / 10 Maj 2010
Kafja ndikon pozitivisht në zemër?
Konsumimi i përditshëm i disa filxhanëve me kafe, mund të ofrojë ndikim pozitiv në shëndetit e personave të cilët kanë përjetuar infarkt të zemrës, me kusht që ata të kenë shtypje normale te gjakut.
Studimi është realizuar nga shkencëtarët grekë pranë Universitetit Harokopio, ku janë përfshirë 374 persona që kanë përjetuar infarkt të miokardit.
Rezultatet kanë treguar se participantët me shtypje normale të gjakut, të cilët në ditë kishin pirë disa filxhanë kafe, kishin qenë për 88% më pak të rrezikuar për të pasur probleme me zemër, në krahasim me ata të cilët nuk pinin kafe.
Mirëpo, te pjesëmarrësit në studim të cilit kishin shtypje të lartë të gjakut, konsumimi rregullt i kafesë kishte shtuar rrezikun real për paraqitjen e pamjaftueshmërisë së zemrës.
Postuar: 22:58 / 9 Maj 2010
Kohëzgjatja e gjumit dhe vdekshmëria
Një studimi i realizuar nga Universiteti i Varvickut, pohon se kohëzgjatja e gjumit është e lidhur drejtpërdrejtë me rrezikun e vdekjes së parakohshme.
Duke analizuar rreth 16 studime mbi gjumin, ku janë përfshirë më shumë se një milionë e gjysmë participantë, ekspertët pranë këtij universiteti erdhën në përfundim se kohëzgjatja ideale e gjumit është ndërmjet 6 dhe 8 orë (brenda 24 orësh), që do të thotë gjumi më i shkurtë se gjashtë orë dhe më i gjatë se tetë orë është i rrezikshëm për shëndet.
Sipas rezultateve të botuara në revistën Sleep, personat që flenë më pak se gjashtë orë, kanë për 12% rrezik që të vdesin në moshë 25-vjeçare. Ndërkohë ata që flenë më shumë se nëntë orë kanë për 30% rrezik që të vdesin në moshë të re.
Veç rrezikut nga vdekja, kohëzgjatja e parregullt e gjumit lidhet edhe me paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme, si depresioni, diabeti, sëmundjet e zemrës etj.
Postuar: 23:18 / 7 Maj 2010
Rrushi kundër diabetit dhe sëmundjeve të zemrës
Rrushi dhe llojet e tij (i kuq, i bardhë dhe i zi) mund të mbrojë kundër diabetit dhe dy lloje të sëmundjeve të zemrës. Ky është rezultati i hulumtimit të kryer nga Universiteti i Michiganit.
Shkencëtarët pranë këtij universiteti kanë punuar me disa minj laboratori, duke i ndarë ata në dy grupe. Grupi i parë ka ndjekur një dietë të lartë yndyre plotësuar me një pluhur të përbërë nga tre llojet e rrushit të dehidratuar. Grupi i dytë vetëm dietë me yndyrë të lartë.
Pas 3 muajve vëzhgimi, analiza tregoi se minjtë në grupin e parë kishin presion të ulët të gjakut, funksionim të mirë të zemrës dhe shënuesit më të mirë të reduktuara të inflamacionit se grupi i dytë. Megjithatë, pesha e të gjitha kafshëve mbeti e pandryshuar.
Arsyeja e mundshme që qëndron pas zvogëlimit të sindromës metabolike janë substancat fitokimike aktive në mbrojtjen e qelizave të zemrës nga efektet e dëmshme të vetë sindromës metabolike- thonë ekspertët.
Postuar: 12:33 / 2 Maj 2010
Konsumimi i matur i alkoolit ul rrezikun për diabet
Personat e moshuar të cilën konsumojnë një deri në dy doza alkool në ditë kanë më pak gjasa për të zhvilluar diabetin e llojit 2, krahasuar me personat të cilët nuk konsumojnë aspak alkool.
Të dhënat e mbledhura nga 35 mijë persona të hulumtuar nga mosha 20 deri në 70 vjeçare të publikuara në American Journal of Clinical Nutrition, bëjnë të ditur se shkak i kësaj sëmundje nuk është vetëm stili i shëndetshëm i jetës së atyre personave.
Hulumtuesit e Universitetit Wageningen i kanë përcjellë të eksperimentuarit për 10 vjet, dhe kanë vërtetuar se konsumimi i matur i alkoolit lidhet me deri në 45% gjasa më të pakta për t’u prekur nga diabeti i llojit 2.
Ndikimi pozitiv i sasive të pakta të alkoolit të konsumuar ka qenë më i shprehur te personat të cilët nuk kanë pirë duhan, pastaj te ata të cilët ushqimin e shëndetshëm e kanë kombinuar me aktivitet fizik.
Postuar: 12:18 / 30 Prill 2010
Lëngjet e pemëve të dobishme për fëmijët
Në takimin e këtij viti të biologjisë eksperimentale në Kaliforni, është paraqitur edhe një tjetër hulumtim interesant. Rezultatet e këtij studimi, të realizuar në Universitetin i Louisianas, tregojnë se konsumimi i lëngjeve që përmbajnë 100% pemë, është i lidhur ngushtë me konsumimin më të mirë të sasisë së përgjithshme të lëndëve ushqyese dhe ushqimin kualitativ të fëmijëve dhe tinejxherëve.
Në bazë të të dhënave të grumbulluara, fëmijët të moshave ndërmjet 2-5 vjeç, të cilët konsumojnë lëngje të pemëve, marrin shumë më tepër vitaminë C, kalium dhe magnez, ndërsa njëherit konsumojnë sasi më të vogël të sheqerit.
Konsumimi i lëngjeve të pemëve te fëmijët e moshave ndërmjet 6-12 vjeç, po ashtu është lidhur me konsumimin e sasive më të mëdha të nutricientëve bazë, por edhe fibrave ushqyes.
Te grupi i fëmijëve që nuk konsumojnë lëngje të pemëve, (të moshave ndërmjet 2-18 vjeç), është vërejtur konsumim më i vogël i nutricientëve të rekomanduar, në veçanti të vitaminës A, vitaminës C dhe folateve.
Lëngjet e pemëve të cilat përmbajnë 100% pemë luajnë rol të rëndësishëm në ushqyerjen e fëmijëve dhe tinejxherëve, sepse sigurojnë nutricientë të nevojshëm për rritje dhe zhvillim.
Postuar: 17:07 / 29 Prill 2010
Speci djegës arma e së ardhshme kundër dhimbjes
Një hulumtim i realizuar nga studiuesit në University of Texas ka treguar se përbërësi i specit djegës, kapsaicin, mund të shërbejë në zhvillimin e barërave të reja që luftojnë dhimbjen.
Është vërtetuar se në organizmin e njeriut në vendet ku vjen deri te dhimbja është e pranishme një substancë e ngjashme me kapsaicinën, përbërës që është përgjegjës për shijen e specit djegës.
Siç përcjell Journal of Clinical Investigation, shkencëtarët besojnë se nëse bllokohet kjo substancë mund të pengohet edhe dhimbja kronike.
Hulumtimet e zhvilluara në minj kanë treguar se bllokimi i receptorëve ku lidhet substanca e ngjashme me kapsaicinën pengon ndjenjën e dhimbjes, gjë që hap rrugën për zhvillimin e barërave të reja.
Postuar: 16:06 / 29 Prill 2010
Diabeti gestacional dhe mbipesha te fëmijët
Fëmijët, nënat e të cilëve gjatë shtatzënisë kanë zhvilluar diabet (i ashtuquajtur diabeti gestacional), kanë rrezik më të madh që të kenë mbipeshë nga mosha 11-vjeçare- pohojnë shkencëtarët gjermanë nga Universiteti i Munihut.
Studimi i tyre ka treguar se mbipesha te nëna është e lidhur në mënyrë direkte më prirjen e fëmijëve për t’u trashur, shkruan revista Diabetes Care.
Diabeti gestacional paraqitet te 8% e shtatzënave, ndërsa mbipesha është faktor i rëndësishëm rreziku për këtë sëmundje të sheqerit që paraqitet në shtatzëni.
Fëmijët e shtatzënave me diabet gestacional kanë peshë më të madhe të lindjes në krahasim me foshnjat tjera, thonë shkencëtarët duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara nga 1.420 fëmijë.
Postuar: 9:23 / 18 Maj 2010
Vitamina K, antikancerogjen
Një nga të dhënat më të reja të klinikës së njohur Mayo tregon se dhënia e preparateve shtesë të vitaminës K, zvogëlon rrezikun për shfaqjen e kancerit të sistemit limfatik.
Duke studiuar limfomën non-Hodgkin te më shumë se 1.600 pacientë, shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se marrja ditore e 108 mikrogramëve të vitaminës K, zvogëlon për 45% rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, në raport me ata që marrin më pak se 39 mikrogramë të vitaminës K.
Limoma non-Hodgkin është formë e karcinomës që përfshin sistemin limfatik, ndërsa paraqitet në 29 forma të ndryshme.
Format kryesore të vitaminës K janë filokinoni-K1, burim kryesor i të cilit janë perimet e gjelbra dhe menakioni- K2, burim kryesor i të cilit janë mishi dhe produktet e fermentuara të qumështit.
Postuar: 16:20 / 17 Maj 2010
Mëlmesat, terapi e mundshme anti-epileptike
Hulumtimet e bëra në kafshë kanë treguar se antioksiduesit kurkumin dhe piperin në kombinim veprojmë ngjashëm si barnat anti-epileptike.
Kurkumin është një polifenol që gjendet në mëlmesën indiane kurkum, e që është përgjegjës për ngjyrën e verdhë të kësaj të fundi, derisa alkaloidi piperin është përbërësi kryesor aktiv në piperin e zi.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se doza e kurkuminës prej 2g/kg në kombinim me dozën e piperinës prej 20mg/kg peshë trupore, ulin nivelin e enzimave në trurin e madh dhe të vogël, të cilat janë të rritura te personat e diagnostikuar me epilepsi.
Këto rezultate tregojnë se kurkumina dhe piperina kanë potencial të shndërrohen në terapi shtesë për personat që vuajnë nga epilepsia, krahas terapisë me barna.
Postuar: 13:50 / 3 Qershor 2010 |
Djathi forcon imunitetin
Sipas një studimi të ri të shkencëtarëve finlandezë, konsumimi i djathit probiotik forcon imunitetin e personave të moshuar.
Dihet se bakteret probiotike nga jogurti forcojnë sistemin imunitar, ndërsa me këtë studim është zbuluar se edhe djathi mund të jetë i pasur me baktere probiotike dhe të ketë veprim dobiprurës në shëndet.
Në studimin e publikuar nga FEMS Immunology & Medical Micro kanë marrë pjesë vullnetarë të moshave ndërmjet 72 dhe 103 vjeç, të cilët janë ndarë në dy grupe. Për një periudhë katërjavore, grupi i parë ka konsumuar djathë të pasur me bakteret probiotike Lactobacillus rhamnosus dhe Lactobacillus acidophilus, teksa grupi tjetër ka marrë djathë-placebo.
Rezultatet kanë treguar se konsumimi i djathit me përmbajtje probiotike, forcon imunitetin e personave të moshuar, gjë që është shumë e rëndësishme në këtë moshë, pasi që ata vazhdimisht i nënshtrohen dobësimit të imunitetit.
Postuar: 9:59 / 24 Maj 2010