|
|
GJERGJ FISHTA Lahuta e Malësisë (analizë)
"Lahuta e Malësisë", me 30 këngë, rreth 17.000 vargje është quajtur nga shumë studiues "Iliada" shqiptare, është vlerësuar si i vetmi epos kombëtar i letërsisë sonë, madje edhe si epos i Ballkanit. Si vepër epike që është, megjithatë "Lahuta e Malësisë" nuk ka një subjekt të mirëfilltë qendror, rreth të cilit të vërtiten ngjarjet, rrethanat, personazhet përfytyrimet. Nëse do të kërkonim një hero qëndror të veprës, ai do të ishte heroi anonim, populli. Unitetin e veprës në të vërtetë, e krijon një përsonazh që, herë vihet në plan të parë, herë është i nënkuptuar. Është Fati i Shqipërisë, jo më me këtë emër si në poemat e tjera epike si "Skënderbeu i pafat" i Jeronim De Radës, "Historia e Skënderbeut" të Naim Frashërit etj. Këtu Fati i Shqipërisë qëndron prapa simbolit mitologjik "Ora e Shqipërisë". Dhe, sipas besimit shqiptar, rrotull kësaj ore, grupohen orët e fiseve, bajrakëve, trojeve, orët e shtëpive, së fundi, orët e çdo luftëtari, të çdo shqiptari. Këto krijojnë ansamblin më simpatik të personazheve në grupin e personazheve mitologjike dhe përgjithësisht në vepër meqë përcjellin edhe mesazhin madhor të mbijetesës së shqiptarit dhe të kombit të tij, pavarësisht nga befasitë më tragjike të çfarëdo kohe që mund të vijë. Në unitetin e veprës ndikojnë drejtpërdrejt edhe zanat, ndër të cilat njëra përcakton unitetin formësor të veprës. Kjo është Zana shqiptare që ka kuptimin e Muzës së "Iliadës" të Homerit. Në pikëpamje të rolit që luan në poemë, përbën binom me Orën e Shqipërisë. Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe kuçedrat, dragonjtë, lugetërit, hijet etj., etj.
Ngjarjet e poemës kanë një shtrirje kohore prej dy brezash njerëzore. Ato fillojnë më 1858, kur Mali i Zi i nxitur nga Cari i Rusisë, kërkon të zaptojë tokat tona. Filli i poemës mbaron kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe Konferenca e Londrës ka vendosur copëtimin përgjysmë të këtyre trojeve. Kobi, kështu ekziston në poemë, në të njëjtin binom me Fatin.
Fishta bën njëfarë grupimi të këngëve, sipas kronologjisë historike të ngjarjeve. Kështu, kemi disa cikle këngësh, kemi ndërmjet tyre edhe këngë që qëndrojnë disi më vete, por që luajnë rolin e rrugëkalimit nga njëri cikël në tjetrin. Në pikëpamje të leximit të veprës ato përkohësisht e shkëputin lexuesin nga terreni historik real dhe e çojnë në sfera fantastike. Cikli që hap poemën është ai për Oso Kukën - pesë këngët e para. Ngjarjet vazhdojnë pothuaj njëzet vjet më vonë, të ndërmjetësuara nga këngët "Dervish Pasha" dhe "Kuvendi i Berlinit". Këto dy këngë japin atmosferën që ishte në dëm të fatit tonë kombëtar. Cikli vijues, që zë hapsirën më të madhe në poemë, është ai i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. I vetmi personazh qendror i ngjarjeve të ciklit është nga pala armike, Mark Milani i Malit të Zi. Krahas tij, shfaqet nxitimthi figura e Krajl Nikollës. Cikli strukturohet në disa nëncikle. Nëncikli i parë (tre këngë) ka në qendër Çun Mulën. Pas ekspozesë që bën kënga "Kulshedra" vjen nëncikli prej pesë këngësh që sjell skena masive të përmasave vigane. Nnëcikli vijues ka në qendër Tringën para dhe pas vdekjes. Ngjarjet, pas një pushimi tjetër prej tridhjetë vjetësh, vijojnë me kryengritjet e Pavarësisë. Këngët përmbyllëse pothuaj janë të pavarura nga njëra-tjetra. Kënga e fundit "Konferenca e Londonit", është në vend të epilogut të poemës.
Studiuesit e ndryshëm janë përpjekur të gjejnë pikëtakime mes "Lahutës së Malësisë" dhe "Iliadës" së Homerit, sidomos në atmosferën që i zotëron dy poemat. Ata kanë krahasuar personazhet që kanë tipare të përbashkëta, skenat e ngjarjeve etj. Por përfundimi i tyre ka qenë se poema homerike, përveçse model i largët, ku është bazuar poeti, me poemën fishtjane kanë të përbashkët përkatësinë ballkanike. Në të vërtetë këto lidhje i bën më të qëndrueshme një burim i mirëfilltë i eposit të Fishtës me eposin tonë legjendar, kryesisht me thelbin e këtij eposi, ciklin e kreshnikëve.
Konflikti në poemë, në mes shqiptarëve dhe sllavëve, mes dy kombeve arsyetohet si një konflikt natyror, me prejardhje nga gjeneza, në vargun e famshëm, proverbial "n'mni t'shoshoqit kemi le". Megjithatë, poeti bën thirrje që të shmanget ky fatalitet i pashmangshëm. Zoti n'qiell e na mbi tokë/ por gjithnji vllazën e shokë. Sidoqoftë, tensionon skajshëm ngjarjet, duke i dhënë "Lahutës së Malësisë" trajtën e një eposi dramatik krejt origjinal nga eposet e kombeve të tjera, me trajta kryesisht tregimtare. Është në mes të dy palëve urrejtja patologjike jo vetëm mes njerëzve, por edhe mes qenieve mitologjike përkatëse, mes natyrës, dukurive natyrore etj. çfarë e bën të pamundur që të pushojë a të prehet së luftuari shpirti i asnjërës racë, qoftë për një çast të vetëm.
Te "Lahuta e Malësisë" urrejtja ndërmjet ky kampeve armike është plazma ngjitëse e poemës. Ajo vë në marrdhënie grupimet e personazheve. Në radhë të parë dy grupimet më të mëdha, që përcaktojnë frymën realisto-fantastike të poemës: grupimin e personazheve historike nga njëra anë dhe grupimin e personazheve fantastike, të përfytyruara ose mitologjike. Duke pasur të dy grupimet të drejtën për të hyrë natyrshëm në çdo ngjarje, në çdo mjedis a rethanë, të bisedojnë bashkë, të grinden, të rrihen, të luftojnë, të besatohen, të urrehen e të dashurohen, edhe në realitet ato u përkasin, shkrihen në një të vetëm. Realiteti mitologjik, qiellor s'është aspak më hyjnor se sa realiteti i jetës së përditshme. Realiteti njerëzor, gjithashtu s'është aspak më tokësor se sa i përfytyruar e i fantazuar, se sa realiteti i largët i paprekshëm, mitologjik, qiellor. Një familjaritet krejt malësor , krejt i natyrshëm zotëron mës grupimit të personazheve mitologjike dhe grupimit të personazheve historike. Ora e Shqipnisë krijon marrëdhënie krejt njerëzore, gati prindërore me Ali Pashën e Gucisë kur është çasti që po luhet me fatin e kombit. Zana e madhe është simotër e përhershme e poetit, i jep trimëri, i jep shpirt për të ndjekur zhvillimin e ngjarjeve, si poeti, uron, mallkon, prandien. Po kështu, orët e tjera, sipas emrave të fiseve ose zanat e tjera sipas emrave të maleve. Familjariteti tipik i kësaj natyre krijohet në këngën Zana e Vizitorit që shquhet edhe për vlerat e rralla artistike.
Poeti kujdeset që personazhet historike të veprës ti vendosë në binom me personazhet mitologjike. Zakonisht, këta janë shëmbëllesa të njëri-tjetrit. Tiparet e njërës palë pasqyrohen te tjtra palë. Bukuria, fisnikëria, dlirësia e Tringës pasqyrohen tek Zana e Vizitorit dhe ndërsjelltas. Zana e Vizitorit, zanë shqiptare, ndërkohë është në konflikt me Zanën e Durmitorit, zanë malazeze, nxitëse e Mark Milanit ndaj shqiptarëve. Në fund të luftimeve zana e huaj ngelet robinë te varri i Tringës duke realizuar edhe hakmarrjen për simotrën shqiptare. Vetë natyra, përbërësit e saj do të ishin një grupim tjetër personazhesh po aq njerëzorë sa edhe dy grupimet e tjera. Autori, ndonëse e hedh vështrimin herë pas here nëpër gjithë trojet shqiptare, skenën e ngjarjeve e kufizon në malësitë e Veriut. Qendër simbolike të zhvillimit të ngjarjeve, siç e pohon mendimi i studjuesve, është Shkodra. Megjithatëai nuk bie në religjionalizëm. Ai, siç thotë profesor Eqerem Çabej, përdor njësinë e fisit për të dhënë njësinë e kombit. Tek fisi janë pikëzuar tiparet e kombit, tiparet e racës. Kjo i jep veprës përmasat kombëtare dhe universale.
Vargu me të cilin është ndërtuar poema është tetërrokshi i poezisë popullore të epikës historike të Veriut. Ai arrin që në këtë varg të sjellë me dhjetra personazhe, secili prej tyre krejtësisht i individualizuar, me tipare krejtësisht të vetat, që nuk mund të largohet nga kujtesa e lexuesit. Ai, po ashtu, individualizon me dhjetëra beteja, me dhjetëraskena betejash madhështore, ku secila prej tyre pikturohet me ngjyrat e dritat e veçanta, për t'u dalluar qartësisht nga moria që e rrethon.
Fjalori i Fishtës, pjesa më e madhe e të cilit nuk është përdorur më parë në veprat letrare aq më pak në poezi, me fjalë të panjohura, me arkaizma, solecizma, me fjalë kompozita, shpesh të ndërtuara prej tij sipas gjedheve burimore, arrin të krijojë jo vetëm figura pamore, por edhe dëgjimore.
Rima është një ndër dukuritë më thelbësore të poemës. Aty shprehet edhe qëndrimi ideoemocional i poetit. Rimat herë janë të përputhura, herë të alternuara ose të kryqëzuara etj.
Ritmet, gjithashtu, janë shumtrajtëshe, varësisht nga vendet ku bëhen pushimet e vogla ose të mëdhatë gjatë leximit, ku në pikëpamjet sintaksore mbarojnë pjesët e fjalive ose fjalitë. Fishta përdor në mënyrën e tij përsëritjet në fillim, në mes ose në fund të vargut, refrenet, përsëritjet e teksteve të plota, citimet nga kryeveprat e folklorit, rendin e përmbysur të fjalëve etj. Dialogët e shpejtë, sentencat filozofike, përbetimet, lutjet, urimet, mallkimet, sharjet e ashpra, pasthirrmat, pyetjet retorike, pyetjet në përgjithësi krijojnë larmi ritmesh, larmi gjendjesh shpirtërore te lexuesit.
Ritmin e shprehjes së shprehësisë artistike, të leximit e përcakton fuqimisht figuracioni. Hiperbola është mjeti kryesor i eposit fishtjan, por një hiperbolë sa fantastike aq edhe realiste. Fantastike për përmasat zmadhuese të tiparit ose efektit të tiparit, realiste për konkretësinë e tyre. Karakteristik është krahasimi, sidomos krahasimi i gjatë, shpesh i ndërlikuar me disa krahasime e të tjera në përbërje të tij, që zotëron tekste të tëra këngësh. Gjithashtu, metafora përdoret me origjinalitet me nëntekste të shumfishta të folklorit . Ipapërsëritshëm në krejt letërsinë tonë është përdorimi i eufemizmave me efekte artistike, herë përkëdhelëse, adhurues, e himnizues, herë paditës, i ashpër, e makabër. Eufemizmi funksionon në vend të emrave të perëndive, qenieve mitologjike, por edhe të personazheve kryesore të grupimit historik. Epiteti ka gjithnjë ngarkesa metaforike, është pjesmarrës në krahasime ose hiperbola. Animizmi dhe personifikimi sikurse dendur prozopopea janë mjetet më efikase të drejtpeshimit fishtian në mes të realitetit tokësor, të zbritur në rrafshin më intim e më konkret tokësor. Disa ndër këngët më të përkryera të poemës si "Kulshedra", "Te ura e Sutjeskës", "Zana e Vizitorit" etj. janë një manifestim pothuaj marramendës i të gjitha llojeve të figurave stilistike. Dhe i gjithë ky univers artistik i realizuar me tetërrokëshin e famshëm fishtjan!
HAKI STERMILLI Sikur të isha Djalë (analiza)
Romani "Sikur të isha djalë" ishte një jehonë e kësaj lëvizjeje shoqërore dhe një nga veprat ku ajo u pasqyrua më gjerë e në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Romani ka formën e një ditari, të mbajtur nga personazhi kryesor i tij, vajza e re, Dija. Nëpërmjet shënimeve të saj lexuesi njihet me jetën e përditshme të një familjeje të zakonshme qytetare shqiptare, ku ndihet edhe prapambetja e theksuar shoqërore, edhe pozita e mjeruar e gruas në familje, e cila duhet të bëjë një jetë të mbyllur brenda mureve të shtëpisë e sipas ligjeve patriarkale. Bota shpirtërore, ndjenjat dhe dëshirat e saj duhet të ndrydhen e të shuhen, ndryshe shfaqja e tyre shkakton skandal në familje dhe në shoqëri. Për sa kohë jeton në familjen e saj, duhet të vendosë për gjithçka babai, e kur të martohet, të vendosë burri. Kështu, ajo është një skllave, që duhet të lindë fëmijë të cilët do të bëhen përsëri viktimë e këtyre ligjevetë egra sunduese në shoqërinë shqiptare të viteve `30. Dija, ashtu si qindra e mijëra vajza, vuan nga këto ligje të egra, që nuk pyesin për ndjenjat, për dashurinë e për dinjitetin e saj. Por në dallim nga ato, ajo nuk do të nënshtrohet, nuk do të mbysë gjithçka që për të është e shenjtë dhe nis të kundërvihet. Kundërvënia ndaj rregullave e ligjeve patriarkale fillon që me dëshirën e saj për të vajtur në shkollë, me përpjekje për të zgjeruar kulturën nëpërmjet librave, me protestën për të mos u mbuluar me ferexhe etj. Dashuria për Shpendin, të cilin e njohu rastësisht te shoqja e saj, megjithse duket sikur ia zbukuron e ia pasuron jetën e mjerë prej jetimeje e prej vajze të mbuluar me ferexhe, kthehet në një tragjedi për të. Nga njëra anë dashuria e saj bëhet tepër dramatike për shkak të fanatizmit të egër, izolimit brenda mureve të shtëpisë, nga ana tjetër , mungesa e ndonjë shprese se mund të bashkohej ndonjëherë me Shpendin në kushtet kur për gjithçka duhet të vendoste i ati, i cili as që mendon se vajza mund dhe duhet të ketë ndjenjat dhe dëshirat e saj që duhen nderuar. Vendimi i tij për ta martuar Dijen me një burrë të moshuar, sepse është tregtar i pasur, e shkatërron përfundimisht jetën e saj.
Gjithnjë e hajthme, e dobët, e trishtuar, e zhytur në mendime të zymta e munduar nga pamundësia për t'u takuar me të dashurin e saj Shpendin, dhe me parandjenja se gjithçka do të përfundonte keq, e fyer vazhdimisht nga njerka e saj, e fyer nga i ati, e papërfillur dhe e përbuzur nga shoqëria, ajo sëmuret rëndë nga turbekulozi dhe vdes, pak kohë pasi e kanë martuar me përdhunë. Edhe përpjekjet e disa njerëzve me pikpamje përparimtare të fisit të saj, edhe përpjekjet e Shpendit për ta rrëmbyer e për të kur nga Shqipëria dështojnë. Fati i çdo vajze ishte përcaktuar; nënshtrimi dhe bindja ndaj ligjeve patriarkale, mbytja e dëshirave dhe e dashurisë, ndryshe e priste turpërimi dhe asgjësimi fizik. Por kjo kundërvënie tragjike e humbet, deri diku, forcën e saj për shkak të disa dobësive artistike të romanit siç janë p.sh. mendimet e zgjatura, arsyetimet moralizuese; që janë dhënë nga pozita sentimentale e jo realiste, të cilat shpesh zëvendësojnë veprimin konkret të personazheve me ankime, psherëtima etj. Megjithatë vepra, sidomos në kohën kur doli, e tronditi opinjonin publik dhe pati një jehonë të madhe te lexuesi shqiptar, pasi heroina e tij tregohet e vendosur në luftën e vet kundër botës së vjetër, kundër normave etiko-morale të saj, pavarësisht se nuk arrin dot dhe s'kishte se si, në mënyrë individuale, të gjentë një rrugëzgjidhje për një problem aq të rëndësishëm shoqëror. "Duhet të luftojmë në daçim të rrojmë si njerëz" - shkruan ajo në ditarin e saj. Por dihet që kundërvënia individuale ndaj shoqërisë është gjithmonë dramatike ose tragjike. Asnjë mjet, asnjë motiv që sjell autori në vepër, nuk e shpëton dot. As largimi nga vendi. Kritika ka pohuar disa herë që autori nuk arrin të sjellë një zgjidhje të drejtë me arratisjen e Dijes dhe Shpendit jashtë vendit. Po, në të vërtetë, ky nuk është një gjykim i saktë. Autori pikërisht duke sjellë dështimin e kësaj përpjekjeje, i tregon lexuesit se s'mund kurrsesi që kjo të jetë zgjidhja. Ky motiv është ndoshta nga më realistët në roman. Jo ikja nga e keqja, po përplasja e lufta me të mund të sjellin ndryshime në ligjet dhe opinjonin e egër e të prapambetur shoqëror.
Dija është personazhi më i realizuar në roman, me një botë të bukur shpirtërore, me një psikologji të qartë dhe natyrë tërheqëse. Ajo i kundërvihet krejtësisht mjedisit ku u rrit dhe demaskon gjithë mënyrën e organizimit të jetës familjare e shoqërore shqiptare.
Personazhet e tjera si Shpendi, Irena, babai, njerka etj., janë më tepër skicime.
Proza e Stërmillit ka tiparet e një proze sentimentale me meditime të shumta e përshkrime të imta të vuajtjeve e të dashurisë, po edhe me shprehje moralizuese e deklarime retorike, të cilat i japin asaj ngjyra pak artificiale dhe mangësi në zbërthimin psikologjik të personazheve. Megjithatë, aty ka mjaft ndjenjë e dhembje të sinqertë, gjë që e tërheq lexuesin. Këto tipare lidhen, në radhë të parë me natyrën artistike të Stërmillit si shkrimtar sentimental. Po, duke qenë se ato ndihen edhe në disa prozatorë të tjerë të viteve `20-`30 si Postoli, Grameno, deri diku edhe te Spase etj., mund të themi se janë edhe tipare të prozës sonë ende të dobët, e cila në këtë kohë megjithëse përpiqet të trajtojë probleme shoqërore të rëndësishme të realitetit shqiptar, mbeti sentimentale.
ISMAIL KADARE Kronikë në Gur (analizë)
"Kronikë në gur" është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deriatëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh - partizanë e pushtues - ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.
Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e "kronikës në gur", ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman I.Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me "pafajësinë" e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës.
Duke qenë vështrimi prej fëmije një vështrim thelbësor në roman, lexuesi e ka të vështirë të dallojë se ku fillon koncepti i arsyetuar i saj e ku mbaron të konceptuarit si lojë.
Në studimin "Subversion kundër konformizmit" një studiues ka këmbëngulur se romani "Kronikë në gur" është një vepër hyjnizuese e Luftës Antifashiste, një "roman komisarësh", dhe se përpjekja e autorit për të hyrë në lëkurën e fëmijërisë së vet nuk është gjë tjetër veçse një procedim letrar për të mbuluar konformizmin. Përkundër këtij mendimi, shumica e studiuesve bashkohen në vlerësimin se "Kronikë në gur" është një vepër atipike në pikëpamjen metodologjike, e shkruar me një liri që tejkalonte kufizimin ideologjk dhe vlerësimin e partishëm për luftën.
Sipas një pjese të studiuesve, "Kronikë në gur", duke pasur këtë vështrim, në fakt sjell tek lexuesi një përqasje psikanalitike frojdiste rreth luftës, ose jetës së qytetit në kohë lufte. "Kronikë në gur" është një prozë me subjekt të reduktuar, gjë jo fort e përshtatshme nga pikëpamja teorike për një letërsi të orientuar.
Me këtë vepër Kadare bëri përpjekjen e parë për t'i dhënë vlerë letrare së zakonshmes, së rëndomtës, madje së shëmtuarës dhe absurdes. "Kronikë në gur" është një vepër e përshkuar nga grotesku. Vështrimi i luftës me sytë e fëmijës i ka dhënë mundësi autorit që t'i shohë ngjarjet dhe personazhet e saj pa ndonjë partishmëri të dukshme.
"Kronikë në gur" përmban vlera të rëndësishme të një letërsie të mirëfilltë etnografike. Tradita e kësaj letërsie në qytetin e Gjirokastrës është më e hershme, ajo afirmohet mirë me botimet e Musine Kokalarit në vitet '40, sidomos me "Siç më thosh nënua plakë" dhe "Sa u tunt jeta". Etnografizmi në romanin e Kadaresë u jep edhe mjediseve një cilësi jotipike, ndryshe prej kërkesave të rrepta të metodës së realizmit socialist.
JAKOV XOXA Lumi i Vdekur (analizë)
Ngjarjet te romani "Lumi i vdekur" shtrihen brenda viteve 1938 -1939 të shekullit XX. Rrëfimi i ngjarjes në romanin "Lumi i vdekur" fillon me shpërnguljen e dhunshme të familjes së Pilo Shpiragut nga fshati Grizë dhe mbyllet pas një viti, me shpërnguljen po të kësaj familjeje, tani nga fshati Trokth. Brenda këtij harku kohor janë vendosur një varg ngjarjesh, kryesisht dramatike, me intensitet shkallëzues. Qerrja e ngarkuar me plaçkat e shtëpisë nis rrugën pa ditur ku do të degdiset. Sa për një natë Pilo Shpiragu vendos të strehohet tek hani i Bishtanakës, ku rastësisht ai do të gjejë "shpëtim" te tregtarët e Fierit, të cilët do ta punësojnë në fermën e fshatit Trokth. Në të njëjtën kohë ai do të njihet dhe me familjen kosovare të Sulejman Tafilajt. Të dyja këto takime do të përcaktojnë rrjedhën e mëtejshme të jetës dhe të fatit të familjes Shpiragu. Ngjarja pas takimit në hanin e Bishtanakës do të lejojë degëzimin e rrëfimit dhe të gjurmëve të rrugës së familjes kosovare, por dhe të asaj të fshatarëve të Trokthit, ku kemi një përqëndrim të veçantë rreth historisë së familjes së Koz Dynjasë. Pilo Shpiragu me familjen e vet do të përfundojë në fshatin Trokth dhe do të marrë në dorëzim gjënë e gjallë të tregtarëve fierakë. Fshati nuk e pret mirë familjen e ardhacakut dhe e konsideron si dorë të zgjatur të tregtarëve fierakë, por Pilo Shpiragu përqendrohet i tëri vetëm në një pikë: si ta sigurojë ekzistencën e familjes së vet të mbetur në rrugë. Bota e fshatit të Myzeqesë, pra, shtrihet brenda projektit të gjerë përmes fatit të tri familjeve: të familjes Shpiragu, të dëbuar nga beu i vendit, të asaj kosovare Tafilaj, të dëbuar nga pushtuesi sllav dhe të familjes trokthase të Koz Dynjasë. E para do sprovohet përmes kthesave më të mprehta dramatike, ajo e Kosovës do të sfidohet nga shija dhe ndjenja e ardhacakut, e të huajit, prandaj e nënshtruar do të provojë të përshtatet në kushtet e reja, si dhe familjet e fshatit Trokth të vendosura në luftë të përhershme për t'u mbrojtur dhe për të siguruar ekzistencën. Paralelisht me këto rrjedha dhe e gërshetuar me to do të zhvillohet edhe lidhja intime mes vashës së Shpiragajve me emrin Vita dhe kosovarit Adil. Kjo linjë nga ana e vet ka shijen dhe domethënien e një simbolike.
Pakti mes Pilo Shpiragut dhe tregtarëve të Fierit nuk do të arrijë ta mbushë as rrethin kohor të një viti. Përmbytja simbolike e fshatit nga lumi i përçudnuar solli pasoja tragjike për Shpiragajt, të cilëve dhe ç'ka u mbeti nga gjëja e gjallë do t'ua rrëmbejnë përsëri trëgtarët. Kështu, familja Shpiragaj mbeti në mes të rrugës më e vetmuar dhe më pa asgjë se kurrë më parë. Ballë për ballë me rrezikun për të mbetur pa ekzistencë, që të mbiietojë, Pilo Shpiragu ai vendos t'i bindet përsëri beut dhe të pranojë kërkesat e tij që si viktimë të parë lakmonte Vitën, ai vendos ta punësojë atë kopile në oborrin e beut. Por, shpleksja e narracionit të romanit do të nisë me arratisjen e Vitës dhe të Adilit në male.
Figura e Pilo Shpiragut (dhe e familjes Shpiragaj) është strumbullar që i lidh tërë rrjedhat narrative të romanit. Ky përcaktim kompozicional i autorit ka rezultuar që, edhe pse bëhet fjalë për një nga romanet më voluminose të letërsisë shqiptare, rrjedhat fabulare të tij lidhen përmes një kohezioni të qëndrueshëm, të brendshëm. Edhe atëhere kur rrëfehen "mesele" nga urtia dhe përvoja jetësore e popullit, që në fakt është karakteristike e rrëfimit romanesk të këtij autori, ato, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, lidhen dhe kanë të bëjnë me shtratin bosht të ngjarjes së rrëfyer.
Pilo Shpiragu është figurë tek i cili është përqendruar vëmendja e autorit. Dhe, ai, Pilo Shpiragu, është nisur të jetë i përkryer si njeri, që ta ruajë deri në fund pastërtinë, por ligjet e jetës mbi të kanë rënë me tërë brutalitetin dhe në çaste të caktuara e kanë detyruar të lakohet. Megjithatë, Pilo Shpiragun e përjetojmë si figurë që rrezaton domethënie përgjithësuese, si person që shpreh dhe një pjesë të sprovave e të dilemave të kohës së vet. Autori mëton që në tiparet e tij (edhe te Koz Dynjaja) të koncentrohen paragjykimet dhe morali i fshatarëve shqiptare të kohës; përmes tyre ai arrin të realizojë tipizimin letrar për rrethanat e mjedisit shqiptar të asaj kohe. Natyrë energjike dhe me inisiativë Pilo Shpiragu beson se do të arrijë pavarësinë ekonomike të familjes, falë krahëve dhe djersës së vet, duke mos e ndjerë nevojën për solidaritet. Por ky ishte një iluzion. Pilo Shpiragu, këtë nevojë do ta ndjejë vonë.
Edhe figura e familjes kosovare, ajo e Sylejman Tafilajt, në vetvete është bërthamë që mpleks jehona të rëndësishme nga drama e përgjithshme kombëtare. E dëbuar dhunshëm nga pushtuesi serb ajo nuk do të rehatohet në moçalet malarike të Myzeqesë dhe nuk do ta gjejë ngrohtësinë e mjedisit. Fati i familjes së arratisur dhe të dëbuar kosovare do të vazhdojë dhe në epokën e komunizmit shqiptar. Jakov Xoxa i ka vërejtur me mprehtësinë e intuitës krijuese raportet mes fshatarëve të Myzeqesë dhe të Kosovës që në fillim e kanë përjetuar si kundërshtar njëri-tjetrin, si palë që do ta rrezikonte apo vështirësonte ekzistencën e secilit.
Tek romani Lumi i vdekur, krahas rrjedhave spontane të veprimeve të personazheve, qoftë të përcaktuara ato nga shtysat e jashtme ose të brendshme, ndjehet ndërhyrja e autorit, sado e fshehtë qoftë. I tillë duket dhe veprimi i arratisjes së dy të rinjve, i Vitës dhe Adilit. A është ky një veprim i paramenduar si zgjidhje e mundshme, apo vetëm veprim i turbullimit të çastit, që se ka të qartë ecjen, drejtimin, cakun? Sikur ky vendim të ishte vendosur në një kontekst tjetër kohor, bie fjala në fillim të viteve '30, do të dukej plotësisht pa rrugëdalje, si një ikje drejt një horizonti fare të mbyllur. Kurdisjen e zgjidhjes si arratisje nga kurthi, autori e bën duke thirrur në ndihmë një alibi të fortë: arratisja në fund të viteve '30 përputhet me fillimin e një përmbysjeje të madhe historike, përmbysje që do ta sillte dhe që e solli Lufta e Dytë Botërore. Vetëdijshëm apo jo, dy të rinjtë do të gjenden në krahët e kësaj lëvizjeje për ndryshime të mëdha.
Një parim tjetër në praktikën krijuese të Jakov Xoxës është edhe synimi për të rrëfyer bindshëm. Ai që rrëfen, pra tregimtari në emër të autorit, dëshiron ta bindë lexuesin në atë shkallë vërtetësie që nuk është e mundur pa qenë njëherë i bindur vetë, ai që rrëfen. Ky parim tregimtar e kultivon praktikisht sqarimin, arsyetimin, mbështetjen absolute të çdo detaji dhe të çdo veprimi.
Një dimension që romanin e Jakov Xoxës e bën tërheqës, është ndjenja se tërësinë e fabulës e rrëfen një dëshmitar i vërtetë i ngjarjeve dhe se ky tregimtar thotë të vërtetën, di të zgjedhë fjalë e shprehje të vërteta, t'i shqiptojë qetë ato, të nxisë kërshërinë për të dëgjuar e për të ditur " Ç'ndodhi më vonë"; të zgjojë interesim për personazhet. Kështu, Jakov Xoxa në mbështetje të përvojës krijuese realiste dhe të filozofisë jetësore të shpirtit kolektiv, ka artikuluar stilin, shkollën e vet në zhanrin e romanit shqiptar në përgjithësi.
NAZMI RRAHMANI Rruga e Shtëpisë sime (analizë)
Romani i gjashtë i Nazmi Rrahmanit Rruga e shtëpisë sime, është rrëfim mbi fatin e kosovarëve të çrrënjosur me dhunë nga pushtuesi sllav, gjatë viteve tridhjetë të këtij shekulli; vendosja e tyre diku në Anadollin e Turqisë dhe rikthimi i pjesës së mbetur gjallë të kësaj familjeje në vatrën e vet stërgjyshore. Kryetari i kësaj familjeje të shpërngulur të Llapit, në vitet 1911-12, kishte qenë luftëtar kundër pushtuesit osman, dhe tani, i pafuqishëm ndaj terrorit të pushtuesit të ri, kërkon strehim dhe shpëtim tek armiku i dikurshëm. Do të jetë kjo një golgotë tragjike që këtë famille e sjell në kufi të shuarjes fizike: vdesin gati të gjithë anëtarët e saj njëri pas tjetrit në dhè të huaj, duke ëndërruar kthimin tek fshati i lindjes, me emrin "Përroi i Keq" (dhe fshati, njësoj si titulli i romanit, ka emërtim simbolik).
Fjala e fundit, amaneti i fundit i secilit përpara vdekjes është: "kthehuni", amanet ky të cilin do ta shpjerë në vend Bajrami, i biri i Babës. Bajrami, që si fëmijë është dëshmitar i aktit të çrrënjosjes, e ngjall ëndrrën e kthimit tek djali i vet i lindur në Anadoll. Një ditë, kur mbetet fill vetëm me të birin, Shpëtimin, ai vendos të kthehet duke e sjellë në vend porosinë e të gjithëve, por dhe ëndrrën e vet më të madhe.
Romani "Rruga e shtëpisë sime", për nga teknika e narracionit shënon kthesë dhe përvojë të re në rrugën krijuese letrare të Nazmi Rrahmanit. Rrëfimi romanor në këtë vepër kryesisht mbështetet në evokimin e kujtimeve. Narracionin e bart dhe e udhëheq kryepersonazhi, që sipas mendimit të kritikut Sabri Hamiti, arrin shkallën e heroit (arrin të realizojë ëndrrën e shumë personazheve dhe të tejkalojë shumë pengesa drejt këtij udhëtimi dramatik dhe tragjik) Bajrami i ka të gjalla kujtimet e shpërnguljes dhe pjesën e kaluar në fshatin llapian Përroi i Keq. E mban mend dhe rrëfen për terrorin serb, si dhe për futjen e krimbit të dyshimit midis banorëve të Përroit të Keq, të cilët i bashkon, përkatësisht i ndan ura. Është Përroni simbolik që fut dyshim e mosbesim mes banorëve, që e ndan hapësirën etnike, me çfarë krijon konotacione metaforike për mosbesim dhe ndarje globale etnike, shpesh me pasoja tragjike.
Kryepersonazhi rrëfen pjesën e rrugëtimit dhe jetën në vend të huaj, goditjet tragjike të njëpasnjëshme dhe aktin e kthimit, që është pikëvrojtimi i narracionit. Autori e ka zgjidhur pikërisht Bajramin për perspektivë narrazioni, meqë ai bart me vete dhe botën, dramën e Babait, por synon që atë ta përcjellë tek trashëgimtari, pasardhësi, duke mbuluar kështu dy krahë kohorë.
Derisa te tipi i romanit "Malësorja" autori rrëfen duke ecur, duke e ndjekur rrjedhën e bëmave, të njerëzve, kryepersonazhi që me këtë rast është dhe narrator i romanit "Rruga e shtëpisë sime", rrëfen pasojat e bëmave të dikurshme. Te tipi i parë narrativi karakteret lindin dhe formohen gjatë ecurisë së tekstit, ndërsa tek tipi i dytë ara janë të gatshëm, me tipare të caktuara të karakterit, vetëdijes, filozofisë jetësore. Tek tipi i parë i romaneve të këtij autori, kryesisht rrëfehet në vetën e tretë, me dialogë të paktë, gati në nivel sentencial, kurse te romani "Rruga e shtëpisë sime" rrëfen kryepersonazhi në vetën e parë. Dialogu në këtë roman është i llojit evokativ (Më kujtohet, mbaj mend, etj ... ) dhe zhvillohet mes Babës, Birit dhe nipit, por shpesh edhe mes uni-t të dyzuar të kryepersonazhit, realizuar si monolog i dialogëzuar. Pra, dallimi mes njërit tip të romaneve të këtij shkrimtari dhe tipit tjetër është në rrafsh të proçedimit krijues, kurse si bindje dhe vetëdije e krijuesit, për rolin e artit letrar në jetë, për ndikimin e tij në botën e njeriut, në filozofinë e të qenit dhe të ekzistencës, teksti është i formësuar dhe mbetet unik për tërë veprën letrare të Nazmi Rrahmanit.
ANTON PASHKU Kulla
Te Tregimi "Kulla" mund të merret si model-bazë tematike e pjesës dërmuese në krijimtarinë letrare të Anton Pashkut. Përveç temës së dashurisë, që shtrihet në një pjesë të vogël të veprës së tij tërësore letrare, në këtë tregim janë të mpleksura: motivi i lashtësisë, i dramës shqiptare nëpër shekuj, i qëndresës, i ekzistencës, i aktualitetit dhe i vizionit të së nesërmes. Kjo do të vërehet sidomos tek romani "Oh", ku ky model tematik shtrihet thellë deri në Iliri dhe njëkohësisht, në mbështetje të asaj përvoje dhe të gjasave aktuale, projektohet e ardhmja. Në këtë rrëfim, përmes jetës së dy brezave, të kapërthyer dhe të shtrirë në tërësinë ekzistenciale kolektive të kombit, shprehet aktualiteti i rëndë, ankthi i banorëve të kullës.
Është përvoja e Plakës, pas vdekjes të së cilës Djali projekton të nesermen e vet duke e mbartur tutje përvojën nga e kaluara. Biri, plot ankth, ndien se qëndresa dhe ekzistenca e Kullës është në rrezik dhe sajon mekanizmin mbrojtës pikërisht në sajë të trashëgimisë simbolike të saj. Përmes traditës, rrëfimtari shpalon kulturën shpirtërore kolektive si mburojë simbolike nga kanosja e shprishjes prej dhunës së ushtruar në kohën kur është shkruar tregimi. Dhuna e ushtruar brutalisht përballë mekanizmit të traditës kulturore kombëtare dhe tërësisë shpirtërore kolektive, në art del e përkohshme, kalimtare dhe pa gjasa triumfi. Kështu përmbyllet tregimi antologjik "Kulla", me ngadhnjimin e së nesërmes, me lidhjen jetike të Birit pas trollit e kullës: rrëfimtari është gjithmonë banor i kullës; brenda saj e kujton të shkuarën nga e cila projekton dhe përcakton perspektivën.
Edhe rrethi tematik i vetmisë, ai i tërheqjes në vete nga çensura e shtypja, edhe rrethi tematik i dhunës dhe i krimit, që zënë vend qëndror në prozën tregimtare të Anton Pashkut, janë rrjedhim i shtypjes dhe i dhunës së ushtruar mbi qenien kolektive shqiptare, historikisht dhe aktualisht. Ky version regjional dhe kolektiv në prozën e Anton Pashkut uníversalizohet si vlerë artistike dhe si mesazh, si filozofi dhe si parim moral.
FATOS ARAPI Atdheu i Poetit
Gjatë viteve shtatëdhjetë Arapi boton ciklin e poezive mbi Skënderbeun, figura e të cilit është sfidë e përhershme frymëzimi poetik nëpër shekujt letrarë të shqipes. Që nga De Rada e këndej, krijuesit më të mëdhenj kombëtarë kanë realizuar kryevepra të frymëzuar nga fryma dhe epoka e Skënderbeut. Fatos Arapi edhe në këtë rreth tematik vjen i veçantë: cikli i tij mbi Skënderbeun e sjell shpirtin e kohës së heroit, si shtresim-themel të poezisë, që mbi të të fokusojë reflekse kohore dhe hapësinore bashkëkohore, të afërta dhe të gjithëkohshme. Ndjehet sidomos shtresimi ironik aludiv lidhur me hipokrizinë dhe prapaskenat diplomatike të të mëdhenjve që kurdisen, si dje-sot, në shpinë të më të vegjëlve...
Nga ky cikël mund të veçojmë vargjet e poezisë "Ishim ne" ku hasen rrënjët e thella të qenies, të shpirtit dhe të tokës arbërore para dhe pas Skënderbeut. Duke ligjëruar nga perspektiva e epokës dhe e figurës së Skënderbeut, poeti do të thotë: ishim ne ata që do të niseshim përjetësisht nëpër udhët e përgjakura, tragjike të lirisë duke e lënë të hapur këtë rrugë dhe në të ardhmen.
Në vitin 1991 Fatosi botoi poezinë "Atdheu" që sjell një imazh e ndjeshmëri lidhur me emocionet patriotike, të pazakonta deri atëherë në këtë temë. Atdheu shpalohet me ngjyra dramatike, tendosje emozionale shpërthyese që hedhin dritë në tri dimensionet e kohës: në të kaluarën, të tanishmen dhe të nesërmen. Në vend që të jetë vetëm dashuri, atdheu është dhimbje dhe pikëllim. Është kryqi që e mban në shpinë dhe që të mban mbërthyer, është premtimi që të bëhet posa lind dhe tani ai ka sy të trishtuar, është dashuri që vdes e dashuri që të çmend, është buka e uritur, është ëndërr, ankth e shpresë e sfilitur, është varr, varr i hapur... Atdheu në këtë poezi shpaloset përmes epiteteve me ngarkesë emozionale, lëvizëse zik-zake që përjashtohen dhe prapë plotësohen mes vetes, duke qëndruar pranë e pranë.Katër katrenat mbyllen efektshëm në një distik:
Atdheu yt i vogli, i vogli
Ai hyjnori i pavdekshmi - loti.
Kjo lirikë dashurie e botuar në fillim të dhjetëvjetshit të fundit të shekullit, është parashenjë e shtresuar thellë në botën poetike të Arapit që do të shpaloset si spektër i begatë i shpirtit dhe i filozofisë së tij. Nga ky cikël do të përmendim poezinë e botuar rnë 1999: "Kjo ndodhte në Madrid", që mund të emërtohet edhe si refleksive meqë bashkëfrymojnë nuancat e ekzistencës si: jeta-vdekja, shpresa-tragjizmi , malli-pikëllimi, mishërim pas Dheut - fat i përjetshëm i lindur. Ajo ka 22 vargje të sistemuara në më shumë njësi. Ideja se mund ta braktiste a të jetë i braktisur nga Atdheu është trishtuese. Fuqia tërheqëse e vëmendjes e ndjek këmba-këmbës poetin nëpër botë; ajo është magji e gjithëpushtetshme.
E njëjta ndjenjë dhe i njëjti zjarr dashurie është dhe te poezia "Duke u nisur për Zyrih". Edhe këtu, emocioni është ngasje dykahëshe: e afërt-e largët, e ngrohtë-e ftohtë, për të mos thënë, e adhuruar-e urrejtur.
Ky është Atdheu në poezinë e Fatos Arapit, as vetëm hyjnori, i adhuruari, as vetëm trishtimi, dhimbja, vrasësi... është fati, është përcaktimi sovran që nuk të ndërron e as e ndërron dot, që nuk ta falin e as e fal dot.
|
|
|
|
|