regenbogen-t - SHKRIMTARET E LETERSIS SE RILINDJES

Home
Contact
FILMA ME TITRA SHQIP
FILMA TE ANIMUAR
HUMOR
KURIOZITETE
FJALE TE URTA
BIOGRAFIA E SHKRIMTAREVE
=> SHKRIMTARET E LETERSIS SE RILINDJES
=> SHKRIMTARET E LETERSIS SE PAVARSIS
=> SHKRIMTARET E LETERSIS MODERNE
=> SHKRIMTARET E LETERSIS VJETER
=> SHKRIMTARET E LETERSISE SE BEJTEXHINJEVE
VEPRA
POEZI
FOTO
SHTETET E BOTES
Alfabetet
10 MASHTRUESIT ME TE MEDHENJE TE HISTORIS
VULLKANET
SHENDETESI
USHQIMET ME TE RREZIKSHME
FRUTAT QE KUROJNE SEMUNDJE
21 MREKULLIT E BOTES
KAMPIONATI BOTROR 2006
20 LIDERET ME TE PASUR TE GLOBIT
FEMRAT MILIARDERE TE BOTES
DHJETE LOJRAT ME TE MEDHA TE SPIUNAZHIT
SHENJAT QE TREGOJNE SE DO TE JETOSH GJATE
MUZIK TE HUAJA
LOJRA




 


 

          SAMI FRASHERI(1850-1904)

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.
Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, ai lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin "Zosimea" në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie.
Samiu ishte njeri me horizont të gjerë dhe dha ndihmesë të shquar për kulturën turke. Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht edhe një varg veprash letrare e shkencore. Ndër këto janë disa vepra themelore, si: i pari fjalor i plotë etimologjik i turqishtes, si dhe e para enciklopedi turke e historisë dhe e gjeografisë në gjashtë vëllime. Ai shkroi në turqisht dramën Besa me subjekt shqiptar, bëri përkthime nga letërsia botërore etj.
Veprat e Samiut në turqisht përshkrohen nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar të Perandorisë Osmane. Me to ai i sillte ndihmesë të vlefshme mendimit përparimtar. Duke goditur bazat e pushtetit feudal të sulltanëve ai i ndihmonte njëkohësisht edhe popullit të vet në luftën për liri, edhe popullit turk në luftën për përparim.
Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: "Abetare e gjuhës shqipe„(1886), "Shkronjëtore e gjuhës shqipe„(gramatikë e shqipes,1886) dhe "Shkronja„(gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.
 

 

    NAUM VEQILHARXHI(1859-1935)

Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.
N.Veqilharxhi lindi më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë në ato çaste historike shtronte para popullit të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes.
Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin "Evëtar„. Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin "Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar„, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një "Enqiklikë„(letër qarkore).
"Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me "lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare„. Ata shqiptarë që shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të ishin "mirëbërës„, etër e mësonjës të atheut e të kombit tonë.
 

 

          NAIM FRASHERI(1846-1900)

Figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur "Zosimea". Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.
Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë "Shqipëria", në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.
Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat "Bagëti e Bujqësia", "Vjersha për mësonjtoret e para", "Histori e përgjithshme" dhe poemën greqisht "Dëshira e vërtetë e shqiptarëve", "E këndimit çunavet këndonjëtoreja". Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht "Tehajylat" (Ëndërrimet) më 1888 botoi "Dituritë", më 1890 "Lulet e verës", më 1894 "Parajsa dhe fjala fluturake", më 1898 "Historia e Skënderbeut" dhe "Qerbelanë" dhe më 1889 "Historia e Shqipërisë". Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s'e pa dot të lirë.
Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri,
mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai.
 

 

         ANDON ZAKO CAJUPI(1866-1930)

Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç'arsye ai përdori edhe formën Zako. Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij. Lindi në Sheper të Zagorisë më 27 mars 1866. Mësimet e para i mori në vendlindje ku kreu dhe një shkollë gjysëm të mesme greke. Po shkolla më e madhe e vendlindjes ishte shkolla e fshatarit, e njohjes së jetës dhe të shpirtit të popullit, të gëzimeve dhe të brengave të bashkëfshatarëve të tij. Rol të madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi nga e ëma, i cili e futi në botën magjepëse të përrallave, të legjendave e të këngëve popullore, prej së cilës poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më kurrë. I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekurnjë kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës Zoicës, dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut. Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë, ku studjoi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendase Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur po dhe fatkeq, sepse i vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronidi thellë poetin dhe i la vragë të thellë.
Ajo u bë shkak që, pas dhjetë vjetësh, të shkruante elegjinë "Vaje", një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë.
Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Po prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një proçesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati, dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare.
Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me "Shoqërinë e Stambollit". Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit. Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare.
Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë "Duke kërkuar një alfabet", në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar. Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike "Baba Tomorri" (1902) ku përfshiu komedinë "katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr". Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.
 

 

         NDRE MJEDA(1866-1937)

Poezia e Mjedës shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866 në Shkodër në një familje të varfër. I ati ishte një barì, i zbritur nga fshati. Ai vdiq herët dhe e la Mjedën të vogël. E ëma mbeti e vè, për të mbajtur dy fëmijët u detyrua të lante rroba te familjet e pasura të qytetit. Aftësitë e rralla që shquanin Mjedën që në fëmijëri, tërhoqën vëmendjen e jezuitëve, të cilët jo rrallë zgjidhnin kuadro nga shtresat e varfra dhe i futnin në seminare. Ata e futën në seminarin e tyre italian të Shkodrës. Meqenëse edhe këtu Mjeda i ri u shqua për zotësi, e dërguan të ndiqte studimet e larta në Spanjë, Poloni, Kroaci dhe Itali. Kësaj rrethane poeti i detyron njohjen e gjuhëve të ndryshme të huaja dhe kulturën e gjerë klasike, që do t'i vlejë shumë gjatë veprimtarisë së tij të mëvonshme letrare. Në formimin e personalitetit të mjedës ndikuan dy faktorë: nga njëra anë shkolla fetare, që përcaktoi deri diku botëkuptimin e tij, nga ana tjetër idealet kombëtare me të cilat ra në kontakt herët e që, si bir i popullit të thjeshtë i ndiente thellë. Këto ideale qenë për të riun flaka që e ushqeu talentin e tij poetik. Më 1887 Mjeda 21 vjeçar botoi "Vaji i bylbylit", një elegji që është njëkohësisht edhe një këngë shprese. Në këtë poemth rinor, plot fluturime romantike, jepet dhembja për fatin e kombit të robëruar dhe optimizmi për të ardhmen e tij. Ndërkaq Mjeda e ndiente veten të ndrydhur nga rregullat e shoqërisë jezuite.
Konflikti ndërmjet tij dhe urdhërit ku bënte pjesë, arriti në pikën më të lartë, pas dy vjetësh, kur poeti i ri, që kishte mbaruar studimet dhe ishte dërguar të jepte mësim në një shkollë të lartë fetare në Itali, detyrohet të largohet. Duke e ndier veten tashmë më të lirë, ai iu kushtua me një zjarr të dyfishuar çështjes kombëtare dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare e kulturore. Themeloi shoqërinë kulturore "Agimi". Mori pjesë në një kongres gjuhësor lidhur me çështjë të shqipes në Hamburg. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësuesëve të fuqive të mëdha në Shkodër, ku ankoheshin kundër qeverisë osmane. Poeti ngriti zërin me rastin e mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë nëpërmjet një vjershe që është një kushtrim i hapur etj. Kjo veprimtari nuk mund të mos i binte në sy qeverisë osmane, e cila më 1902 e arrestoi poetin dhe gati sa nuk e internoi në Anadoll (ky rast i dhimbshëm i jetës së Mjedës gjeti pasqyrimin poetik në poemthin "I tretuni").
Edhe pas kësaj, poeti nuk pushoi së punuari për çështjen shqiptare, qoftë në fushën letrare, qoftë në fushën gjuhësore. Në këta vjet, nën ndikimin e hovit të madh të lëvizjes atdhetare si edhe të kontaktit të përditshëm me jetën e fshatarëve, lindën krijimet e tij më të mira.
 

      MIHAL GRAMENO(1871-1931)

Mihal Gramenoja është nga ata shkrimtarë të vitëve të fundit të Rilindjes që luftuan për çështjen kombëtare dhe me pushkë. Atdhetar i flaktë, ai solli në shkrimet e tij mbresa të drejtpërdrejta nga lufta e popullit tonë për pavarësi dhe, më vonë, për demokracie përparim. Lindi më 1871 në Korçë, në një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje mori edhe mësimet e para. Ende i vogël, për nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit, në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë "Drita". Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Më 1907 ishte antar i çetës së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin shqiptar.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku bëri punë të palodhur në lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris.
Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore.
Vdiq në Korçë më 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli "Hero i Popullit".
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek shekulli (1900-1925). Mihal Gramenoja është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqiptare. Ai shkroi novelat "Oxhaku" (1909) dhe po atë vit "E puthura" dhe "Varri i Pagëzimit". Tek "Oxhaku" dhe "E puthura" trajton çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. "Varri i pagëzimit" paraqet luftën e pamëshirshme që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Libri me kujtime "Kryengritja shqiptare" (1925) zë vend të veçantë në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën e parë flet për çetat kryengritëse, për luftimet dhe punën propaganduese të çezës së Çerçiz Topullit, bën portrete të qëlluara luftëtarësh e njerëzish të thjeshtë të popullit. Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm artistik, përshkrime dhe dialogje të gjalla.
M.Gramenoja ka botuar dy vepra dramatike: komedinë "Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja janë shkruar në vargje.
Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. M.Gramenoja shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore shqipe - Plagët". Bien në sy vjershat atdhetare që i kushtohen lëvizjes kryengritëse. Disa prej tyre, si: "Për Mëmëdhenë", "Uratë për liri", "Lamtumirë", me patosin kushtrues, u përhapën mjaft dhe u kënduan edhe si këngë:

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,
vraponi, burra, se s'ka me pritë!
Të vdesim sot me besa-besë
pranë flamurit të kuq që u ngrit,

Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. M.Gramenoja është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi. Ai është cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare.
Drejtoi gazetat "Lidhja orthodhokse" (1909-1910) dhe "Koha" (1911-1926), me disa ndërprerje, dy nga gazetat më përparimtare të traditës. Bashkpunoi edhe me shtypin tjetër të kohës.
Në shkrimet e tij Gramenoja del si përfaqësues i anës më të vendosur e më demokratike të lëvizjes sonë kombëtare. Ai goditi ashpër jo vetëm pushtuesin osman, por dhe armiqtë e tjerë të çështjes kombëtare: klerin reaksionar grek e grekomanët, pseudoatdhetarët, feudalë të mëdhenj e borgjezë të pasur, të cilët i quan me tallje "syfete" e "honxho-bonxho". Nga na tjetër, ka besim vetëm tek vegjëlia, te populli dhe te roli i tij në fatet e kombit. Më 1912, ai shkruante: "Kemi besim te varfanjakët, dhe kjo opingë është shtylla dhe shpresa e kombit shqiptar".
Në fillim të viteve `20 zgjerohen pikpamjet politike të Gramenos. Në gazetën "Koha" ai boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon ngjarjet e mëdha politike të kohës.
Një nga dokumentet më të shquara të gazetarisë e të lëvizjes demokratike të atyre viteve është artikulli "bashkim dhe përparim".
Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse.

 

            LUIGJ GURAKUQI(1879-1925)
 

Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shënmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës, dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publiçist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda). Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare. Nuk kishte ngjarje të rëndësishme të kohës ku të mos ishte dora e Gurakuqit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër.
Në vitet 1921-1923 L.Gurakuqi si deputet i Shkodrës u gjend vazhdimisht në opozitë me Zogun dhe gjithë feudalët e tjerë. Bashkëluftëtar i F. Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924.
Pas kundërevolucionit emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra pabesisht në Bari nga njerëz të vënë nga Zogu. F.Noli e vlerësoi lart figurën e këtij biri të shquar të Shqipërisë me vjershën e njohur "Syrgjyn-vdekur", kurse populli pas luftës ia soli eshtrat në atdhe dhe e deroi me titulin e lartë "Hero i Popullit" dhe "Mësues i Popullit".
Krijimtaria poetike e Gurakuqit përfshin vitet 1898-1907. Më pas, krijimtaria e gjerë politike nuk e lejoi të merrej më poezi. Për herë të parë vjershat e tij u përmblodhën në një vëllim më 1941.
Në poezinë e parë, që është përgjigjje për vjershën "Shko dallëndyshe" të F.Shirokës, Gurakuqi flet për gjendjen e mjerë të Shqipërisë. Krijimi më i njohur i tij është vjersha "Qëndresa", ku gërshetohen edhe elemnete autobiografike. Me theks filozofik, jepet zgjimi i poetit nga ëndërrimet romantike, në emër të qëllimeve të larta, qëndresa për plotësimin e idealit. Poezia është një kredo e gjithë jetës dhe e veprimtarisë së Gurakuqit.
L.Gurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën "Deka e zanave" thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik.
L.Gurakuqi shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në "Këndimet" (1912).
Interes të veçantë paraqet libri "Vargnimi në gjuhën shqipe" (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë.
Edhe si publiçist L.Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista "Albania", te "Kalendari Kombiar", në gazetat "Drita", "Liria e Shqipërisë", "La Nacione Albanese". Si stilist i shquar ai ka lënë modele të prozës publiçistike në dy dialektet.
L.Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publiçist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.