regenbogen-t - SHKRIMTARET E LETERSIS SE PAVARSIS

Home
Contact
FILMA ME TITRA SHQIP
FILMA TE ANIMUAR
HUMOR
KURIOZITETE
FJALE TE URTA
BIOGRAFIA E SHKRIMTAREVE
=> SHKRIMTARET E LETERSIS SE RILINDJES
=> SHKRIMTARET E LETERSIS SE PAVARSIS
=> SHKRIMTARET E LETERSIS MODERNE
=> SHKRIMTARET E LETERSIS VJETER
=> SHKRIMTARET E LETERSISE SE BEJTEXHINJEVE
VEPRA
POEZI
FOTO
SHTETET E BOTES
Alfabetet
10 MASHTRUESIT ME TE MEDHENJE TE HISTORIS
VULLKANET
SHENDETESI
USHQIMET ME TE RREZIKSHME
FRUTAT QE KUROJNE SEMUNDJE
21 MREKULLIT E BOTES
KAMPIONATI BOTROR 2006
20 LIDERET ME TE PASUR TE GLOBIT
FEMRAT MILIARDERE TE BOTES
DHJETE LOJRAT ME TE MEDHA TE SPIUNAZHIT
SHENJAT QE TREGOJNE SE DO TE JETOSH GJATE
MUZIK TE HUAJA
LOJRA




 

     GJERGJ FISHTA(1871-1940)

Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë.Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atj viti ai bëhet bashkthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të "Lahutës së Malësisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset" më 1913 "Mrizi i Zanave".
Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e kishte pritur me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publiçistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë", (1937).
Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

 

 

       FAN NOLI(1882-1965)

Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shume artistë të mëdhenj shqiptare, ai lindi dhe vdiq larg atdheu. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.
Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t'i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm me 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën "Zgjimi", në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip "Izraelitë e filistinë". Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet". Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë "Besa-besë", që më pas u shkri në federatën "Vatra"si dhe gazetën "Dielli". Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.
Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme "Historia e Skënderbeut".
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zerin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi armiqsor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive evropiane të shteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej. Por ndërkohe gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A.Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë biellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos patur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformen agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin "Liria Kombëtare"
Të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë, Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin si edhe disa nga poezitë e tij më të mira. Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet, duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë, me shpresë se do të vinte një ditë që ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun. Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë shpirtërore të tij në këtë kohë e shpreh poezia "Moisiu në mal.Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.
 

 

           FAIK KONICA(1875-1942)

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.

             MIGJENI(1911-1938)

Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën. Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndërrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.
Migjeni lindi më 23 tetor 1911 në Shkodër, në familjen e një tregtari të vogël, ku shumë shpejt vështirësive ekonomike iu shtuan edhe fatkeqësitë familjare. Kur ishte pesë vjeç, i vdiq nëna, kurse në moshën trembëdhjetëvjeç humbi të atin, e më pas vëllanë e gjyshen me të cilën ai ishte lidhur fort pas vdekjes së nënës. Këto fatkeqësi e bënë Migjenin, që vetiu ishte një natyrë e mbyllur, të tërhiqej nga jeta e moshatarëve të tij. Pasi mbaroi shkollën fillore në Shkodër, ai shkoi për të vazhduar mësimet në Tivar dhe më pas përfundoi seminarin teologjik të Manastirit. 
Për një të ri me interesa të gjera si Migjeni, jeta e seminarit ishte mbytëse. Nga leximet Migjeni ra në kontakt me ide revolucionare të kohës që zienin në gjithë Evropën.
Në vitin 1932 Migjeni pasi mbaroi seminarin dhe nuk mundi të sigurojë një bursë për të vazhduar studimet e larta, mbeti pa punë deri sa më 1933 u emërua mësues në Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Rruga Vrakë-Shkodër, që ai bëntë përditë me biçikletë, ia keqësoi gjendjen shëndetsore. Gjatë kohës që qëndroi në seminar, Migjeni sëmurej shpesh dhe ishte nën kontroll të vazhdueshëm të mjekut, ngaqë mushkëritë e tij ishin të dobëta dhe rezikoheshin të prekeshin nga turbekulozi, sëmundja tipike e kohës, nga e cila i vdiq edhe nëna.
Ndërkohë, ai kishte filluar të botonte shkrimet e tij në revisten "Illyria". Në to ndihen përshtypjet e para, reagimi shpirtëror i Migjenit ndaj realitetit të zymtë, ndaj mjerimit, ku ishte zhytur edhe fshati, edhe qyteti shqiptar.
 

        LASGUSH PORADECI(1899-1987)

Lasgush Poradeci lindi më 27 dhjetor 1899 në Pogradec, në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun. Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht ai u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t'i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri) në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane.Në dallim nga poetët e Rilindjes, që megjithë origjinalitetin e tyre kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, nga prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.
Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen ne periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.
Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, i cili u shqua për sensibilitetin dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.
Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë "Vallja e yjeve", dhe më 1937, u botua vëllimi i dytë "Ylli i zemrës". Pas Luftës së Dytë Botërore Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat "Eskursioni teologjik i Sokratit", "Mbi ta", "Kamadeva", baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si "Eugjen Onjegin" të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit, të Emineskut etj.
Më 12 nëntor të vitit 1987, Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemran e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturë sonë si Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli etj. Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë.